Shkaktimi i demit / Shkaktimi i dëmit
Shkaktimi i dëmit

Cilat janë llojet e përgjegjësisë në rastin e shkaktimit të një dëmi?

Përgjegjësia për shkaktimin e dëmit mund të jetë: kontraktore ose jashtëkontraktore.

Cila është përgjegjësia kontraktore në rastin e shkaktimit të një dëmi?

Kjo përgjegjësi lind vetëm atëherë kur nuk përmbushet detyrimi i parashikuar në kontratë ose përmbushet në mënyrë jo të plotë. Personi përgjegjës për këtë mospërmbushje detyrohet t’i shpërblejë palës tjetër dëmin e shkaktuar nga ky fakt.

Cila është përgjegjësia jashtë kontraktore në rastin e shkaktimit të një dëmi?

Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Kur provon se nuk ka faj, ai nuk përgjigjet për dëmin e shkaktuar.

Pra, që të lind përgjegjësia civile për shkaktimin e dëmit jashtë kontraktor duhet të ekzistojnë të gjithë elementët në vijim:

  • veprimi i paligjshëm
  • dëmi pasuror
  • faji në shkaktimin e dëmit
  • lidhja shkakësore mes veprimit te paligjshëm dhe demit te shkaktuar

Kundërligjshmëria e sjelljes së subjektit shkaktar të dëmit cenon marrëdhëniet juridike që gëzojnë mbrojtje nga ligji i cili njeh dhe garanton të drejtat e personave fizik dhe juridik në raport me njëri-tjetrin dhe pushtetin publik.

Faji është qëndrimi subjektiv i personit shkaktar të dëmit në raport me veprimin e kundërligjshëm dhe pasojat që vijnë prej tij, që nënkupton vullnetin e brendshëm psikik për të kryer veprimin, për te siguruar ardhjen e pasojave ose lejimin e ardhjes se tyre.

Lidhja shkakësore vlerësohet si ekzistenca e lidhjes objektive, të drejtpërdrejtë dhe të pavarur mes veprimit të kundërligjshëm dhe pasojës se ardhur.

Lidhja shkakësore vërteton lidhjen mes tre elementeve: sjelljes së paligjshme, fajit dhe pasojës së ardhur, pra dëmit të shkaktuar në pasurinë, shëndetin ose personalitetin e subjektit të dëmtuar.

Nuk është përgjegjës ai që i shkakton dëm tjetrit për mbrojtjen e tij ose të një personi tjetër.

Kush është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga i mituri nën 14 vjeç dhe personi që është i pazotë për të vepruar?

I mituri që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe personi që është i pazotë për të vepruar nuk përgjigjen për dëmin e shkaktuar.

Si rregull, për dëmet që shkaktohen nga të miturit nën 14 vjeç dhe personat që janë të pazotë për të vepruar, mbajnë përgjegjësi prindërit, kujdestari ose ata të cilëve u janë besuar ose kanë në mbikëqyrje këta persona. Megjithatë, këto persona nuk mbajnë përgjegjësi kur provojnë se me gjithë masat e marra nuk kanë mundur të ndalojnë shkaktimin e dëmit.

A është përgjegjës për dëmin që shkakton i mituri mbi 14 vjeç?

I mituri që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, përgjigjet për dëmin e paligjshëm të shkaktuar prej tij.

Prindërit ose kujdestari përgjigjen për dëmin e shkaktuar nga ky i mitur, kur ai nuk nxjerr të ardhura nga puna ose nuk ka vetë pasuri, me përjashtim të rastit kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit.

Kush përgjigjet për dëmin e shkaktuar nga personat që janë në mbikëqyrje?

Mësuesit dhe personat e tjerë që kanë nën mbikëqyrje të mitur ose, personat që u mësojnë të tjerëve një mjeshtëri ose profesion, janë përgjegjës për dëmin e paligjshëm të shkaktuar të tjerëve nga personat që kanë nën mbikëqyrje, të shkaktuar gjatë kohës që kanë qenë nën mbikëqyrje të tyre të drejtpërdrejtë, me përjashtim të rastit kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit.

A ka përgjegjësi i përfaqësuari për veprimet e përfaqësuesit?

I përfaqësuari është përgjegjës së bashku me përfaqësuesin nëse përfaqësuesi i shkakton dëm një personi tjetër gjatë ushtrimit të detyrave që i janë caktuar.

A ka përgjegjësi punëdhënësi për dëmet që shkaktohen nga punonjësit e tij?

Punëdhënësi është përgjegjës për dëmet që u janë shkaktuar personave të tjerë për fajin e punonjësve që janë në shërbim të tij, nëse ato janë shkaktuar gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.

Kush është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga përdorimi i kafshëve?

Pronari i një kafshe ose ai që e përdor atë është përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej saj, me përjashtim të rastit kur provon se e ka pasur nën kontroll atë, por nuk ka mundur të mënjanonte shkaktimin e dëmit.

Çfarë përgjegjësie ka avokati nëse shkakton një dëm gjatë ushtrimit të profesionit të tij?

Ndaj sjelljes apo veprimeve të avokatit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, mund të bëhet ankim pranë Kryetarit të Dhomës së Avokatisë. Këtë ankim mund ta bëjë çdo person që mbrohet, përfaqësohet ose ndihmohet juridikisht prej avokatit apo çdo person tjetër që pretendon se është dëmtuar nga sjellja apo veprimet e avokatit.

Nëse avokati deklarohet fajtor në përfundim të shqyrtimit të ankesës, mund t’i kërkohet që:

  • të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e problemit në fjalë;
  • t’i kompensojë dëmin e shkaktuar ankuesit apo palëve të tjera të dëmtuara nga veprimet e tij, në masën që çmohet e drejtë nga rrethanat, që rezultojnë nga shqyrtimi i ankesës;
  • të paguajë shpenzimet e palëve dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për përballimin e këtij procesi ankimi.

A ka përgjegjësi pronari i ndërtesës për dëmet e shkaktuara nga të metat e saj?

Pronari i një ndërtese është përgjegjës për dëmet e shkaktuara nga të metat që kanë lidhje me ndërtimin ose me mirëmbajtjen.

Kush është përgjegjës për një dëm të shkaktuar nga shumë persona?

Kur dëmi është shkaktuar nga shumë persona së bashku, këta përgjigjen ndaj të dëmtuarit bashkërisht. Nëse njëri prej tyre shpërblen të gjithë dëmin, ai ka të drejtë të kërkojë më pas nga secili shkaktar i dëmit pjesën e tij në përpjesëtim me shkallën e fajësisë të secilit. Kur kjo nuk mund të përcaktohet, prezumohet se shkalla e fajësisë është e barabartë.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: