Bashkepronesia ne ndertesa / Asambleja e Bashkëpronarëve
Asambleja e Bashkëpronarëve

Çfarë është “Asambleja e Bashkëpronarëve” dhe kryesia e saj?

“Asambleja e bashkëpronarëve” është tërësia e pronarëve të banesave në një ndërtesë banimi.

Kryesia e Asamblesë përbëhet nga një ose më shumë pronarë të banesave në ndërtesë, të cilët veprojnë në emër e për llogari të Asamblesë, brenda kompetencave që u jepen nga kjo e fundit.

Kur organizohet mbledhja për formimin e Asamblesë së Bashkëpronarëve dhe çfarë vendoset në të?

Mbledhja për formimin e asamblesë organizohet brenda 30 ditëve nga momenti që krijuesi i ndërtesës së banimit ka shitur të paktën 1/3 e gjithë sipërfaqes së saj. Në të marrin pjesë: krijuesi, nëse nuk i ka shitur të gjitha banesat, dhe pronarët e të gjitha banesave të tjera.

Nëse kjo mbledhje nuk organizohet, secili nga bashkëpronarët ka të drejtë të kërkojë organizimin e saj. Nëse dhe pas kësaj kërkese, bashkëpronarët e tjerë refuzojnë ta organizojnë atë, atëherë secili bashkëpronar mund t’i drejtohet kryetarit të bashkisë/komunës për të thirrur mbledhjen.

Në këtë mbledhje asambleja zgjedh kryesinë, përcakton mandatin dhe vendos se sa do të jetë tarifa e administrimit.

Si thirret Asambleja e Bashkëpronarëve?

Njoftimi për mbledhjen e radhës së asamblesë afishohet nga kryesia në një vend të dukshëm në ndërtesë, të paktën 10 ditë para mbledhjes, ku shënohen: vendi, ora dhe rendi i ditës.

Në rast se me njoftimin e parë nuk arrihet pjesëmarrja e 2/3 të bashkëpronarëve, atëherë përsëritet njoftimi për një mbledhje tjetër pas 3 ditësh. Këtë herë mbledhja zhvillohet me bashkëpronarët e pranishëm.

Procesverbali i mbledhjeve dhe i vendimeve mbahet nga kryesia dhe mund të konsultohet nga secili prej bashkëpronarëve.

Cilat janë disa nga kompetencat e Asamblesë së Bashkëpronarëve?

Disa nga kompetencat e Asamblesë së Bashkëpronarëve janë:

  • Miraton rregulloren për administrimin e banesës.
  • Krijon fondin rezervë për shpenzimet e përbashkëta, duke caktuar edhe shumën vjetore të tij.
  • Miraton llogaritjen e shpenzimeve që ka vendosur të kryhen gjatë vitit, si dhe ndarjen e shumës së tyre midis bashkëpronarëve.
    Shpenzimet e përbashkëta për mirëmbajtjen, riparimet dhe përmirësimet e zakonshme të këtyre objekteve miratohen nga asambleja me shumicë të thjeshtë votash, ndërsa shpenzimet për përmirësime të mëdha vendosen me shumicë të cilësuar të bashkëpronarëve që arrijnë të paktën 75% të kuotave përkatëse.
  • Emëron, kur çmohet e domosdoshme, kujdestarin e ndërtesës, duke caktuar kompetencat dhe pagën e tij.
  • Autorizon kryesinë që të sigurojë, brenda kufijve të arsyeshme, objektet që janë pronë e përbashkët, si dhe të lidhë kontrata të tjera të nevojshme për mirëmbajtjen, riparimet dhe përmirësimet e zakonshme, ose, sipas rastit, për përmirësime të mëdha të këtyre objekteve.
  • Miraton tarifën e administrimit, si dhe mënyrën e kohën e pagesës së saj për secilin bashkëpronar.

Si merren vendimet e Asamblesë së Bashkëpronarëve dhe si njoftohen ato?

Vendimet e Asamblesë së Bashkëpronarëve janë të vlefshme, kur ato merren me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të Asamblesë, përveç rasteve që kërkojnë një shumicë të cilësuar, sipas parashikimeve të Kodit Civil.

Ato u njoftohen të gjithë bashkëpronarëve, si dhe shpallen në një vend të dukshëm, në ndërtesë.

Si mund të ankimohen vendimet e Asamblesë?

Kundër vendimeve të Asamblesë mund të bëhet ankim në gjykatë, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit mbi vendimin.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: