Puna / Leja vjetore
Leja vjetore

Sa është leja vjetore që përfiton punëmarrësi?

Gjatë një viti pune, punëmarrësit kanë të drejtë të marrin jo më pak se 4 javë kalendarike pushim të paguar.

Pushimet vjetore nuk përfshijnë ditët e festave zyrtare. Nëse një festë zyrtare bie në një nga ditët e pushimit vjetor me pagesë, pushimi vjetor shtyhet. Kur punëmarrësi nuk ka kryer një vit pune të plotë, kohëzgjatja e lejes vjetore të paguar përcaktohet në raport me kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës. Për shembull, në rast se ka punuar vetëm 3 muaj, punëmarrësi ka të drejtë të marrë jo më pak se 1 javë kalendarike pushim vjetor.

Data e fillimit të pushimeve vjetore caktohet nga punëdhënësi duke mbajtur parasysh dëshirën e punëmarrësit. Kjo datë duhet t’i njoftohet punëmarrësit të paktën 30 ditë përpara.

Leja vjetore duhet të jepet gjatë vitit kalendarik të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës, pra, pushimet e vitit duhet të merren deri në fund të muajit mars të vitit tjetër. Leja vjetore nuk duhet të jetë asnjëherë më pak se një javë kalendarike pa ndërprerje. Punëmarrësit të shtruar në spital ose që qëndron në shtëpi për shkak sëmundjeje ose aksidenti që vërtetohet me raport mjekësor, i shtyhet leja vjetore.

Cilat janë lejet e tjera që mund të përfitojë punëmarrësi?

Kur punëmarrësi nuk mund të punojë për shkak të sëmundjes, punëdhënësi i jep atij jo më pak se 80% të pagës për një periudhë prej 14 ditësh të pambuluara nga sigurimet shoqërore.

Në rast martese të punëmarrësit ose në rast vdekjeje të bashkëshortit/bashkëjetuesit, paraardhësve ose pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, si p.sh.: të fëmijëve apo prindërve, punëmarrësi përfiton 5 ditë leje ditore të paguar.

Në rast sëmundjeje të rëndë të anëtarëve të familjes, bashkëjetuesit, të paraardhësve ose pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, e vërtetuar me raport mjekësor, punëmarrësi përfiton jo më shumë se 30 ditë leje të papaguar. Në rast lindjeje fëmije, personi që është bashkëshort/bashkëjetues përfiton 3 ditë pushimi të paguar.

Punëdhënësi i jep pagën, për jo më shumë se 14 ditë pune, punëmarrësit që mungon në punë për shkak të përmbushjes së një detyrimi ligjor, siç mund të jetë rasti kur thirret për të dëshmuar në prokurori ose gjykatë.

Kur punëmarrësi nuk ka mundësi të punojë për shkak të një aksidenti në punë ose të një sëmundjeje profesionale, ai përfiton kompensimet nga sigurimet shoqërore.

Sa është leja që jepet në rastin e lindjes apo birësimit të një fëmije nga ana e punëmarrësit?

Gruaja shtatzënë përfiton leje 35 ditë para lindjes dhe 63 ditë pas lindjes. Pas periudhës 63 ditore të paslindjes, gruaja vendos vetë nëse dëshiron të punojë ose të zgjasë pushimin deri në 365 ditë duke përfituar kështu nga sigurimet shoqërore. Periudha maksimale e përfitimit nga sigurimet shoqërore do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që ka në barrë më shumë se një fëmijë, periudha maksimale e përfitimit është 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve.

Në rast birësimi të një fëmije të porsalindur, punëmarrësi ka të drejtën e lejes së parashikuar nga ligji mbi sigurimet shoqërore, pra deri në 365 ditë. Lejen e birësimit mund ta përfitojë vetëm njëri nga prindërit, nëna ose babai birësues.

Nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna.

Çfarë leje mund të përfitojë punëmarrësi që përkujdeset për një fëmijë?

12 ditë mungesa në vit me të drejtë page - Në rast përkujdesjesh të domosdoshme për fëmijët në ngarkim.

15 ditë pushim të paguar dhe 30 ditë pushim shtesë të papaguar - Kur ka fëmijë të mitur deri në tre vjeç dhe kur fëmija i tij është i sëmurë, vërtetuar me raport mjekësor.

Pushimi i jepet bashkëshortit që merret apo kujdeset efektivisht për fëmijën. Në rast të kundërt ai i jepet me radhë edhe nënës edhe babait.

Jo më pak se 4 muaj leje prindërore e papaguar - Kur ka më shumë se një vit pune të pandërprerë tek i njëjti punëdhënës. Leja mund të përfitohet derisa fëmija që ka në ngarkim të arrijë moshën 6 vjeç.

Secili prej prindërve ka të drejtë të kërkojë lejen prindërore. Leja e pamarrë nga një prind nuk mund t’i transferohet prindit tjetër, me përjashtim të rasteve kur njëri prind vdes. Leja mund të jepet e ndarë, por jo më pak se një javë në vit. Kohëzgjatja përcaktohet me marrëveshje me shkrim midis punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Në rastin e birësimit të fëmijës, leja prindërore jepet brenda 6 vjetëve, që nga dita e birësimit të fëmijës, por jo më vonë se kur fëmija mbush moshën 12 vjeç.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: